24 Orë - Kulturore 11 mars, 2002
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe në kompjuter
Dallimi mes fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe që përdoret sot dhe i këtij që është hartuar në programin kompjuterik, sipas z. Shishani, është se ky i fundit është pasuruar me trajta të reja gjuhësore. Ky program i eviton automatikisht gabimet në drejtshkrim, kurse gabimet në trajta ai i nënvizon, në mënyrë që t’ia tërheqë vërejtjen shqipshkruesit për shkrimin e parregullt
“Gjuha shqipe dhe kompjuteri” është projekt i shoqatës joqeveritare Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), që ka arritur të finalizojë programin kompjuterik për drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Ky projekt, që është punuar nga një grup ekspertësh gjuhësorë dhe të fushave të tjera, i prirë nga Lulëzim Shishani, student i shkallës së tretë në shkencat juridike, konsiston më tepër në çështjen e korrekturës nëpër shkrimet shqipe, por me mundësi të mëdha edhe për programe kompjuterike për fjalor kuptimor të gjuhës shqipe dhe drejtshkrimin kompjuterik. Hartuesi i këtij programi, Lulëzim Shishani, thotë se projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” ka nisur punën menjëherë pas luftës dhe ka punuar në katër nënprojekte: për programin kompjuterik të drejtshkrimit, hartimin e fjalorit shpjegues kuptimor, hartimin e fjalorit drejtshkrimor në kompjuter dhe programi kompjuterik i drejtshkrimit në kompjuter. Dallimi mes fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe që përdoret sot dhe i këtij që është hartuar në program kompjuterik, sipas z. Shishani është se ky i fundit është pasuruar me trajta të reja gjuhësore. Gabimet në drejtshkrim ky program i eviton automatikisht, kurse gabimet në trajta ai i nënvizon, në mënyrë që t’ia tërheqë vërejtën shqipshkruesit për shkrimin e parregullt.
Fjalori drejtshkrimor me kompjuter përmban një fond me 150,000 trajta gjuhësore, të instaluara në program, e që kompjuteri mund t’i korrigjojë me një komandë të vetme rreth 300,000 gabime të mundshme. Sipas z. Shishani, rëndësia e këtij programi kompjuterik për drejtshkrimin e shqipes mund të gjejë përdorim të gjithanshëm për shqipshkruesit. Ai sjell një shembull nga një shkresë zyrtare e Gjykatës Supreme të Kosovës, ku brenda një teksti prej 200 faqesh janë regjistruar 850 gabime drejtshkrimore. Kështu sipas z. Shishani, për shkak të një gabimi drejtshkrimor mund të përvidhen keqkuptime nëpër procedurat penale, aty ku assesi nuk lejohen gabime gjuhësore dhe drejtshkrimore. Po të instalohej nëpër kompjuterë ky program, mund të evitoheshin për një ditë me miliona gabime drejtshkrimore në shqipen e shkruar.
“Programin tonë, - thotë Lulëzim Shishani, - jemi të gatshëm ta hedhim në rrjet të internetit falas, por jemi duke kërkuar donacione për të vazhduar punën më tej”. Programi është i përdorshëm për programet: Microsoft Word, Microsoft Excel dhe Microsoft Office.
Arben Veselaj