Epoka e re - Kulturë 11 mars, 2002
“Vihet në jetë” programi kompjuterik – korrektuesi drejtshkrimor
Më pak punë për lektorët
Me këtë program, librit prej 500 faqesh, për tri orë mund t’ia gjesh të gjitha gabimet, ndërkohë që nuk ke nevojë që të njëjtin t’ia japësh një gjuhëtari dhjetë ditë dhe prapë gjithmonë mbetet mundësia të ketë lëshime të gabimeve
Bekim Ademi
Prishtinë, 10 mars – Me iniciativën individuale të Lulëzim Shishanit, jurist dhe student i shkallës së tretë, menjëherë pas përfundimit të luftës filloi projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, në kuadër të të cilit ishte planifikuar që të bëhet “Finalizimi i programit për drejtshkrim” dhe “Hartimi i fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe”. Këto, sipas Shishanit, janë projekte të përfunduara dhe në përdorim e sipër, ndërkaq në vazhdim është duke u punuar për “Hartimin e fjalorit drejtshkrimor elektronik” dhe “Hartimin e fjalorit kuptimor të gjuhës shqipe”, projekte që së shpejti pritet të dalin në dritë.
Iniciativa e Shishanit më pas ka kaluar në iniciativë kolektive dhe e gjithë puna lidhur me këtë projekt është bërë nën drejtimin e OJQ-së “Qendra për Edukim dhe Përparim”, kryetar i së cilës është vetë Shishani. Ndërkaq në këtë punë kërkimore shkencore në vazhdim i janë bashkuar edhe shumë shokë dhe punonjës shkencorë të gjuhës shqipe.
Duke folur rreth përmbajtjes dhe punës së bërë në hartimin e fjalorit drejtshkrimor, Shishani ka thënë se aty kryesisht është punuar me kompjuter, pra është bërë zgjedhimi i foljeve, lakimi i emrave, pastaj janë angazhuar gjuhëtarë të ndryshëm, të cilët i kanë vlerësuar, verifikuar dhe plotësuar në bazë të normës së gjuhës shqipe.
“Ky fjalor dallon nga fjalori i mëparshëm me atë se është shumë më i pasuruar, sidomos në trajtat që i mungojnë. Secili që mund ta shohë mund të japë një vlerësim se gjuha shqipe, sa i përket këtij elementi, është në krizë. Shqipfolësit apo shqipshkruesit, kudo qoftë i duhet që ta shikojë se si shkruhet një fjalë dhe askund nuk e gjen, apo i duhen që t’i shikojë 10 000 fjalë dhe askund nuk i gjen, apo ndoshta edhe më tepër se 50 000 fjalë dhe nuk mundet t’i gjejë, fjalë këto të cilat pranohen prej gjuhëtarëve tanë”, theksoi ai.
Sipas Shishanit, kjo është me rëndësi mbarëkombëtare, sepse “këtu shihet e meta e fjalorit të mëparshëm në radhë të parë, pastaj e meta e gjuhës dhe e meta e kombit shqiptar. Këtu edhe shihet dallimi mes fjalorëve, sepse ai përmban rreth 50 000 trajta më tepër, por dallimi shihet edhe në fjalë, të cilat kryesisht janë futur prej gjuhëtarëve.
Shishani ka shtuar se qëllimi i tyre gjithmonë ka qenë programi kompjuterik, gjegjësisht korrektuesi drejtshkrimor. Sipas tij, në fjalor është fondi i fjalëve që korrektohet dhe nga puna rreth programit kompjuterik ka dalë fjalori drejtshkrimor si libër, i cili për momentin është fjalori më i pasur, jo si synim i vetëm. “Një ndihmë të madhe në këtë drejtim e ka dhënë edhe Gani Lajçi, i cili është edhe koordinator i këtij projekti, por ndihma nuk ka munguar edhe nga të tjerët. Gjithkush që e ka parë këtë për herë të parë, ka mbetur i fascinuar dhe kështu nuk ka munguar ndihma morale”, ka pohuar Shishani.
Mbi 300 mijë gabime korrektohen automatikisht
Duke folur rreth projektit të programit kompjuterik, Shishani ka thënë se “ai më tepër i ndihmon korrekturës, por ekzistojnë edhe elemente të lekturimit, edhe pse lekturën e posedon word-i si word”.
Tiparet janë të njëjta me të gjitha gjuhët botërore angleze, franceze... Ka mundësinë e korrektimit automatik dhe ka mundësinë e shtimit të korrektimit automatik, çka do të thotë se mbi 300 000 gabime korrektohen automatikisht, pra nuk e pyet shqipshkruesin, ndërkaq të tjerat nënvizohen me vijë të kuqe, që shënohen në mënyrë automatike ndërsa për fjalën që është shënuar gabimisht jepet sugjerimi, sepse ekzistojnë fjalë të cilat nuk mund të kuptohen se çka është dashur të thuhet me to”. Ai ka pohuar se qëllimi kurrë nuk ka qenë përfitimi material.
“Puna shkencore është të materializohet dhe kjo dihet nga secili. Me këtë program, librit prej 500 faqesh, për tri orë mund t’i gjesh të gjitha gabimet, ndërkohë që nuk ka nevojë që të njëjtin t’ia japësh një gjuhëtari dhjetë ditë dhe prapë gjithmonë mbetet mundësia të ketë lëshime gabimesh. Kjo së paku mund t’i reduktojë 100 gabime edhe atë si minimum, gabime që shfaqen në të gjitha gazetat ditore, gjithmonë duke pasur parasysh punën praktike që është bërë rreth këtij programi. Kam pasur rastin që edhe në librat e magjistrave, që nuk bën t’ju përmendet emri, janë gjetur mbi 500 gabime dhe të mos flitet për tekstet e palekturuara dhe të pakorrektuara”, ka vënë në pah Shishani, i cili ka demonstruar edhe praktikisht punën e programit kompjuterik në gjuhën shqipe palekturuara dhe të pakorrektuara.
Ai si shembull ka treguar edhe një libër të jurisprudencës, i cili ka dalë me së paku 850 gabime. Bëhet fjalë për projektligjin e Kodit të Procedurës Penale, ku janë gjetur aty gabime, ndërkaq, sipas juristit Shishani, një libër i tillë nuk duhet të ketë as të paktën edhe një gabim. “Është dëshira jonë që në afatin sa më të shkurtër të bëhet një faqe e internetit dhe kjo të shpërndahet falas. Ekziston mundësia që të bëhet mbrojtja prej piraterisë, por shpërndarja e programit në atë mënyrë do të ishte shumë e ngadalshme, domethënë në mënyrë individuale. Universiteti ka shprehur gatishmërinë që të ketë këtë program, por nuk ka mjete që ta paguajë, ndërkaq është synimi ynë që ky program të shpërndahet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse është më mirë që të shpërndahet, se sa të bllokohet. Është mirë që secili shqipfolës apo shqipshkrues ta posedojë këtë program”, ka theksuar ai.