Koha ditore – Kulturë 11 mars, 2002

Një program kompjuterik për korrektimin e gjuhës shqipe

Dy orë kohë për 500 faqe korrekturë

Në verifikimin e këtij fondi gjuhësor janë këshilluar ekspertë të gjuhës shqipe nga AShAK-u dhe profesorë të katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe . “Nëse çdo i gjashti person në Kosovë, e shkruan një copë shkrese apo letër dashurie në ditë, atëherë përmes këtij programi, për çdo ditë mund të evitohen 1 milion gabime drejtshkrimore”, tha Lulëzim Shishani

Mentor Haliti

Prishtinë, 10 mars - Më në fund është punuar edhe programi kompjuterik për korrektim në gjuhën shqipe, bëri të ditur kreatori i këtij programi Lulëzim Shishani, jurist i diplomuar dhe kryetar i OJQ-së “Qendra për Edukim dhe Përparim” (QEP) nga Prishtina, qendër e cila përveç këtij programi kompjuterik ka realizuar edhe disa projekte të tjera me interes në fushën e drejtshkrimit dhe drejtkuptimit sa më të saktë të gjuhës shqipe, qoftë si realizim kompjuterik, apo si botim në libër.

Nga vet programi drejtshkrimor, automatikisht ka lindur edhe ideja për përpilimin e Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe pikërisht për shkak të fondit të madh të fjalëve të grumbulluara që kanë kaluar shifrën prej 150 000 mijë trajtave.

Një përplotësim të këtillë dhe një grumbullim të fjalëve të reja të pasurimit të fjalorit e mundëson vet programi kompjuterik, sepse, siç theksoi kreatori i këtij programi z. Shishani, në çdo përmirësim të ndonjë libri, nëse haset në ndonjë fjalë ende të panjohur për programin, automatikisht futet në kuadër të fondit të fjalorit korrektues kompjuterik.

Fjalori drejtshkrimor kompjuterik është më i pasur se fjalori drejtshkrimor i “Rilindjes”, botim i vitit 1981 (ribotim 1984) për hiç më pak se 50 mijë hyrje (trajta fjalësh).

“Elementi i gjuhës është në krizë, të gjithë këtë e dimë mirë, për shembull, ju ka rënë rasti të kërkoni një fjalë në fjalor dhe të mos e gjeni”, deklaroi Lulëzim Shishani.

Një përparësi tjetër e këtij programi është se nëpërmjet këtij procesi kompjuterik, gjithnjë duke përdorur mundësinë që ofron programi në fjalë mund të bëhet korrektimi, madje lektorimi i librave të përgatitura më parë për shtyp nga ekspertë të këtyre lëmive.

“Në një libër 200 faqesh që është përgatitur nga ekspertë të njohur të shkencave juridike janë detektuar 850 gabime”, tha juristi Shishani që e pranon se nuk është njohës i mirë i rregullave gramatikore por është njohës i mirë i jurisprudencës dhe i kompjuterit.

Në verifikimin e këtij fondi linguistik ai më tutje theksoi se janë këshilluar ekspertë të gjuhës shqipe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me profesorë të Fakultetit të Filologjisë, dega e Gjuhës dhe e letërsisë shqipe.

“Nëse çdo i gjashti person në Kosovë, e shkruan një copë shkrese apo letër dashurie në ditë, atëherë përmes këtij programi për çdo ditë mund të evitohen 1 milion gabime drejtshkrimore”, tha më tej Lulëzim Shishani duke nxjerrë një mesatare në proporcion me editimet e përditshme të gazetave, librave dhe shkrimeve të tjera në Kosovë, analiza këto që i kishte bërë në kuadër të “QEP-it”.

Programi si i këtillë është realizuar, por Lulëzim Shishani, dëshiron që ky program të institucionalizohet dhe të futet në përdorim të gjerë duke qenë sa më afër të gjithë shqipshkruesve, njëkohësisht larg synimeve pirateske. Si duket, duhet të kalojë një kohë e gjatë derisa të kuptojnë njerëzit e qeverisë dhe të institucioneve të gjuhësisë se aplikimi i një programi të këtillë është në modë, efikas dhe bashkëkohor duke pasur parasysh se njerëzimi është duke e jetuar epokën e kompjuterizimit. Nga zyrtarizmi i këtij programi benificionet më të mëdha do t’i ketë vetë Kosova, shqipshkruesit kosovarë (pa përjashtuar personalitetet) të cilët ende kanë probleme me përvetësimin e rregullave drejtshkrimore të shqipes. Për përmirësimin e dokumentit të shkruar në kompjuter, duke përdorur programin e Lulëzim Shishanit, mjafton vetëm prekja e një suste, ndërsa për zyrtarizimin e tij dhe shpërndarjen në ndonjë web-site zyrtar apo licencimin e tij në mënyrë ligjore mjafton një prekje e sustës nga ndonjë funksionar që ndoshta edhe vetë ka nevojë për praktikë drejtshkrimore dhe kompjuterike.

Në këtë program gjatë tre viteve kanë punuar një numër i madh i inxhinierëve, gjuhëtarëve, kompjuteristëve dhe ekspertëve të tjerë në bazë grupore dhe individuale.

Qendra për Edukim dhe Përparim, bazuar në deklaratën e z. Shishani është e interesuar të vazhdojë projektin dhe perfeksionimin e mëtejshëm të programit duke e pajisur atë me hyrje të tjera, por u mungojnë mjetet. Prandaj, ai kërkon ndërhyrjen e donatorëve, si dhe u ofron bashkëpunim institucioneve kompetente duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një program të ndërlikuar, i cili gjithnjë zhvillohet sikur që zhvillohet vetë gjuha dhe kompjuterika.

Mediat për ne