Zëri- Kultura, 11 mars 2002
Gjuha shqipe dhe trendet e komunikimit modern
Së shpejti fjalori korrektues kompjuterik i shqipes
Me instalimin e këtij programi në Kosovë, vetëm brenda ditës, do të eliminoheshin mbi një milion gabime drejtshkrimore, thotë Lulëzim Shishani, udhëheqës i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Adem Abazi
Në organizim të OJQ-së “Qendra për Edukim dhe Përparim” është punuar një kohë të gjatë në projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”. Deri tash është finalizuar programi kompjuterik për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, hartimin e Fjalorit drejtshkrimor, hartimin e Fjalorit drejtshkrimor elektronik dhe hartimin e Fjalorit kuptimor elektronik të gjuhës shqipe. Dy projektet e para janë shumë afër realizimit të tyre dhe mund të futen në përdorim, veçmas programi kompjuterik për drejtshkrim. Në këtë projekt është punuar kryesisht nga njerëzit e kësaj OJQ-je, por në finalizimin e punës shkencore, thotë Lulëzim Shishani, janë konsultuar edhe gjuhëtarët kosovarë. Ky fjalor drejtshkrimor dallon nga botimet e mëparshme, veçmas për kah fondi leksikor, ai ka mbi 50 mijë fjalë (krejt fjalori ka 150000 fjalë dhe trajta të ndryshme fjalësh) e trajta më tepër se Fjalori se drejtshkrimor i gjuhës shqipe, që është botuar më 1984. Fjalori drejtshkrimor elektronik (korrektuesi drejtshkrimor) është një projekt i cili do të futet në fjalorin kompjuterik në Kosovë dhe më gjerë dhe, si i tillë, do të jetë një ndihmesë e madhe në evitimin e gabimeve drejtshkrimore.
Ky program ka tiparet e njëjta me programet korrektuese në gjuhën angleze, frënge etj. Sa i përket qëllimit dhe idesë së realizimit të këtij projekti, Lulëzim Shishani thotë se ai ka bërë përpjekje që t’i ndihmohet përdorimit të gjuhës shqipe në format moderne të komunikimit, siç është kompjuteri. Sa i përket ndihmave në realizimin e këtij projekti, në mënyrë institucionale nuk ka pasur, përveç disa donatorëve dhe përkrahjes morale. Ai shpreson që ky projekt të përvetësohet në formë institucionale nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që përdorimi i tij të mos bëhet pre e piraterisë dhe të shpaguhet mundi i krejt kësaj pune.
Me instalimin e këtij programi në Kosovë, vetëm brenda ditës, do të eliminohen mbi një milion gabime drejtshkrimore, thotë Lulëzim Shishani, udhëheqës i projektit ”Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.