Epoka e re – Kulturë 13 maj, 2003
Që nga 15 korriku i këtij viti, nëpërmjet projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”
Gjuha shqipe bëhet me programin kompjuterik të drejtshkrimit
Programi do të jetë identik me programet e ngjashme për gjuhët e tjera në kuadër të “Microsoft-it”, do të bëjë korrektimin automatik dhe nënvizimin me të kuq të gabimeve dhe shprehjeve të kërkuara dhe do të japë sugjerime përkatëse për atë që përdoruesi do ta kërkojë
Naim Zeqiri
Prishtinë, 12 maj – Që nga 15 korriku i këtij viti, nëpërmjet projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” gjuha shqipe do ta ketë “Programin kompjuterik të drejtshkrimit” Me këtë projekt, gjuha shqipe do të hyjë në familjen e 50 gjuhëve të tjera, të cilat kanë arritur që ta kompjuterizojnë gjuhën e tyre.
Kështu ka bërë të ditur të hënën, drejtori i Qendrës për Edukim dhe Përparim (QEP), Lulëzim Shishani, në një konferencë për gazetarë.
Programi do të jetë identik me programet e ngjashme për gjuhët e tjera në kuadër të “Microsoft-it”. Ai do të bëjë korrektimin automatik dhe nënvizimin e kuq të gabimeve dhe shprehjeve të kërkuara dhe do të japë sugjerime përkatëse për atë që përdoruesi do ta kërkojë. Programi do të jetë në pajtim me programin operativ të “Microsoft Windows” dhe “Microsoft Office”, “Microsoft XP Professional”. Ai do të ketë mundësinë e shtimit të fjalëve nga përdoruesi dhe do të ketë të integruar korrektimin automatik me mundësinë e shtimit të korrektimit nga vetë përdoruesi.
“Për secilën fjalë, tri ose katër variante të shkruara gabimisht korrektohen automatikisht, çka do të thotë se për dy milionë fjalë bëhen së paku gjashtë milionë korrektime automatike”, tha Shishani.
Sipas Shishanit, ky program drejtshkrimor i gjuhës shqipe është rezultat i një pune të kujdesshme dhe në të përfshihet leksiku i gjuhës së sotme shqipe i cili përmban “Fjalorin e shqipes së sotme” të vitit 1980, me 41 mijë fjalë, “Fjalorin e shprehjeve të huaja” me rreth 20 mijë fjalë, emrat gjeografikë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe 3 mijë emra të njerëzve për momentin.
“Që prej fillimit puna jonë ka gjetur mbështetje të madhe, sidomos morale dhe profesionale, pothuaj nga të gjithë, por ka qenë aspekti financiar ai që shpeshherë ka ngadalësuar ritmin e punës, sepse i tërë projekti ka qenë i vetëfinancuar”, tha Shishani.
Për këtë program, QEP ka bashkëpunuar me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, përkatësisht me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë.
Ky program, që nga 15 korriku do t’i dorëzohet edhe Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha ministrive, në mënyrë që ata ta përdorin dhe që nga kjo datë të gjitha shkresat zyrtare, dhe në përgjithësi, fjala shqipe do të shkruhet drejt.