Zëri-Kultura, 13 maj 2003

Shqipja standarde në programin vetëkorrektues kompjuterik

Ky projekt, sipas Lulëzim Shishanit, drejtues i QEP-it, do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së gjuhës kudo që ajo përdoret, përfshirë administratën e qeverisë lokale dhe të përgjithshme, institucionet arsimore, të shëndetit, të mbrojtjes dhe policisë e kudo tjetër ku përdoret kompjuteri dhe shqipja standarde

Adem Abazi

Qendra për Edukim dhe Përparim tash e sa kohë ka punuar në përgatitjen e një programi kompjuterik të drejtshkrimit të gjuhës standarde shqipe. Dje, në mjediset e hotelit Grand, ky program është bërë publik para masmediave. Lulëzim Shishani, drejtor i kësaj qendre tha se, që nga 15 korriku i këtij viti, me anë të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, gjuha shqipe do ta ketë “Programin kompjuterik të drejtshkrimit”, dhe me këtë do të hyjë në familjen e 50 gjuhëve të tjera të cilat kanë arritur që gjuhën e tyre ta kompjuterizojnë. Ky program drejtshkrimor i gjuhës shqipe është rezultat i një pune të kujdesshme dhe në këtë përfshihet leksiku i gjuhës së sotme shqipe i cili përmban “Fjalorin e shqipes së sotme”, të vitit 1980 me 41 mijë fjalë, “Fjalorin e shprehjeve të huaja” me rreth 20 mijë, emrat gjeografikë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe 3 mijë emra të njerëzve në këtë moment. “Puna jonë ka gjetur mbështetje të madhe, sidomos morale dhe profesionale, pothuaj nga të gjithë, por ka qenë aspekti financiar ai që shpeshherë ka ngadalësuar ritmin e punës, sepse i tërë projekti ka qenë i vetëfinancuar”, tha Lulëzim Shishani. Në realizimin e këtij programi QEP-i ka bashkëpunuar me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, përkatësisht me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Tiranës.

Në projektin e kësaj qendre parashihet që nga 15 korriku ky program t’i dorëzohet edhe qeverisë së Kosovës dhe të gjitha ministrive në mënyrë që ai të përdoret dhe që nga kjo datë të gjitha shkresat zyrtare, dhe në përgjithësi, fjala e shkruar të shkruhet drejt. Programi i QEP-it do të jetë identik me programet e ngjashme për gjuhët e tjera në kuadër të “Microsoft-it dhe ai do ta bëjë korrektimin automatik dhe nënvizimin e gabimeve dhe shprehjeve të kërkuara dhe do të japë sugjerime përkatëse për atë që përdoruesi do ta kërkojë. Shishani sqaroi se programi do të ketë afër 2 milionë trajta, do të jetë në pajtim me programin operativ të “Microsoft Windows”, “Microsoft Office” e “Microsoft XP Professional”, do të ketë mundësinë e shtimit të fjalëve nga përdoruesi si dhe do të ketë të integruar korrektimin automatik me mundësinë e shtimit të korrektimit nga vetë përdoruesi.

Mediat për ne