RTK – QIK, 20 gusht 2003
Rugova u takua me përfaqësuesit e QEP-it
Prishtinë, 20 gusht (RTK) - Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti sot në një takim drejtuesit e Qendrës për Edukim dhe Përparim nga Prishtina, Lulëzim Shishanin, drejtor, dhe Kujtim Dobrunën, koordinator, të cilët shpalosën projektin mbarëkombëtar “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, në të cilin ka punuar kjo qendër këtu e katër vjet, në bashkëpunim me gjuhëtarë eminentë nga Kosova dhe Shqipëria. Ata paraqitën programin për drejtshkrim të gjuhës shqipe, programin për përvetësimin e gjuhës, si dhe fjalorin elektronik shpjegues. “Me këtë gjuha shqipe futet në gjirin e 50 gjuhëve të kompjuterizuara në botë”, tha z. Shishani. Drejtuesit e Qendrës thanë se presin që institucionet e Kosovës t'i blejnë të drejtat ekskluzive të këtij programi kompjuterik korrektues, për ta bërë të mundur që ky pastaj të shpërndahet falas për përdorim të gjerë publik. Presidenti Ibrahim Rugova përgëzoi për projektin dhe punën e bërë, duke e quajtur këtë "program me interes kombëtar".