Koha Ditore – Kulturë, 4 shtator 2003

Qeveria është e interesuar ta blejë projektin për gjuhën shqipe në kompjuter

Ky projekt është tepër i rëndësishëm sepse në këtë mënyrë korrigjohen të gjitha dokumentet, ka thënë Bajram Rexhepi

Gazmend Syla

PRISHTINË, 3 shtator – Qeveria e Kosovës ka përkrahur, të mërkurën, blerjen e një projekti për aplikim të gjuhës shqipe në kompjuter nga një grup ekspertësh kosovarë. Diskutimi rreth këtij projekti ka qenë temë debati në takimin e rregullt të Qeverisë. Kryeministri Rexhepi tha se parimisht ky projekt përkrahet.

“Kjo është tepër e rëndësishme sepse në këtë mënyrë korrigjohen të gjitha dokumentet”, tha ai.

Numri një i ekzekutivit kosovar tha që Qeveria do ta ketë të drejtën e licencës për këtë projekt dhe se ai do të distribuohet pastaj në arsim dhe në të gjitha institucionet tjera.

“Kjo është një e arritur e madhe dhe parimisht ne e përkrahëm, ndërsa nga MASHT-i do të vijë një përpunim më detaj dhe shpresoj se do ta marrim atë”, tha Rexhepi. Projekti i është dorëzuar Qeverisë nga organizata joqeveritare “QEP”, e cila ka realizuar disa programe kompjuterike për gjuhën shqipe.

Mediat për ne