Koha Ditore – Shoqëri-Kulturë-Art 27 mars, 2005

Fillon shkarkimi i programit kompjuterik për drejtshkrimin e shqipes: "AS 2.0”

Shqipja standarde me korrektor kompjuterik, ”lamtumirë gabime”

Me korrigjime automatike apo sugjeruese, mundësia që ta shkruani jo drejt shqipen standarde, pothuajse është eliminuar. Jo nga korrigjime te mësuesve të shqipes, por nga ftohtësia e programit kompjuterik që nuk ka mëshirë ndaj askujt as ndaj vetë gjuhëtarëve

Adem Abazi

Prishtinë, 26 mars - Ju do ta shkruani gabimin fjalën, por ai nuk do t’ ju lërë. M e korrigjime automatike apo sugjeruese, mundësia që ta shkruani, jo drejt shqipen standarde pothuajse është eliminuar. Jo nga korrigjimet e mësuesve të shqipes, por nga ftohtësia e programit kompjuterik që nuk ka mëshirë ndaj askujt, as ndaj vetë gjuhëtarëve.

Nga e shtuna, për banorët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, është dhënë mundësia që programi kompjuterik për drejtshkrim e shqipes “AS 2.0” të shkarkohet në kompjuterët e tyre falas. Ky program nuk do të toleroj mbi 1.5 milionë fjalë e trajta fjalësh që të shkruhen jashtë normës. Programi AS “2.0” ka qenë një projekt i Qendrës për Edukim dhe Përparim, e cila ka punuar për gjashtë vjet në realizimin e tij. Në bashkëpunim me institucionet shkencore e politike të Kosovës dhe të Shqipërisë ky program, nga e shtuna, u është vënë në dispozicion të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë. Këtë program mund ta shkarkoni nga adresa elektronike:www.gjuha-shqipe.com.

Në promovimin publik të programit “AS 2.0” të mbajtur të shtunën në hotelin “Grand” në Prishtinë, drejtori i QEP-it, Lulëzim Shishani, ka vlerësuar se një program i tillë e fut gjuhën shqipe në mesin e gjuhëve më të zhvilluara të botës. “Realizime të tilla janë të rralla në histori, madje edhe në kombet më të zhvilluara... ky program e radhit gjuhën shqipe mes 50 gjuhëve të botës, aktualisht të kompjuterizuara”, ka vlerësuar Shishani.

“Nëpërmjet këtij softueri ju nuk do të jeni më shikues të rëndomtë që vërejnë bastardimin e gjuhë amtare, por do të kontribuoni në ngritjen e nivelit të saj çdo ditë e më shumë”, është shprehur Shishani, i cili shtoi se, ky është një program mbarëkombëtar në të cilin kanë punuar gjuhëtarë nga Prishtina e Tirana. Meqë këtë projekt e ka blerë vetë Qeveria e Kosovës nga QEP-i, sipas drejtorit, Lulëzim Shishani, “Qeveria ka në duart e veta armën më efikase në luftimin e problemeve të gjuhës shqipe. Madje, krijohet një situatë që pas një kohe, të nxjerrë ligj për mbrojtjen e gjuhës me vetëm një nen”.

Edhe përfaqësuesi e Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Emil Lafe, e ka çmuar programin kompjuterik për drejtshkrimin e shqipes “AS 2.0” si një punë të çmuar të gjuhëtarëve shqiptarë dhe si një nismë për vazhdimin e bashkëpunimit në këtë fushë, mes dy vendeve.

“Realizimi i këtij programi dëshmoi se kemi njerëz, të çmueshëm që dinë ta çojnë gjuhën tonë në mesin e gjuhëve më të zhvilluara të botës”, ka thënë Lafe për të plotësuar se “AS 2.0” është edhe homazh për të gjithë ata që punuan për shqipen, që nga Rilindja Kombëtare e këndej.

Edhe gjuhëtarja e Institutit Albanologjik të Prishtinës, Shefkije Islamaj, e ka vlerësuar këtë program të çmueshëm për përmirësimin e përdorimit të shqipes standarde në shkollë, medie dhe institucione. Për veçanti të këtij programi kanë folur edhe Isa Bajçinca e Enver Hysa, kurse realizuesit e tij nga QEP-i edhe njëherë kanë demonstruar mundësitë e programit “AS 2.0” dhe kanë folur për punët e tyre të së ardhmes në kuadër të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.


Mediat për ne