Epoka e re – Kulturë 19 janar, 2005

Filloi programi kompjuterik i drejtshkrimit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”

Ngritje për drejtshkrimin e gjuhës shqipe

Minire Berisha

Prishtinë, 19 janar - Programi kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0 është realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP). Instalimi i programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0 së pari do të jepet për të gjitha mediat e Kosovës, kurse që nga muaji mars do të vendoset në faqen e internetit të QEP-it, të Qeverisë së Kosovës, për shkarkimin falas për secilin banor të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Kështu ka thënë Lulëzim Shishani, nismëtar dhe udhëheqësh i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.

Ky projekt ka filluar para gjashtë vjetësh dhe sipas Shishanit ata kishin shpresë edhe frikë për realizimin e tij. “Kishim shpresë se edhe gjuhën shqipe do ta fusim në mesin gjuhëve të kompjuterizuara, ndërsa frikë se ishim të vetëdijshëm se do të ballafaqoheshim me shumë vështirësi, që nga vështirësitë gjuhësore me të cilat kombi ynë ballafaqohet për dekada të tëra, vështirësitë financiare e deri pengesat burokratike në institucionet tona shkencore e shtetërore”, potencoi Shishani, për të shtuar me tej se “shpresën nuk e kemi humbur asnjëherë, ndërsa frikën e mposhtën me punën e zellshme dhe me përkushtimin e punëtorëve, bashkëpunëtorëve dhe të partnerëve tanë”.

Ai vlerësoi se realizime të këtilla janë të rralla në historinë e gjuhëve, madje edhe te kombet e zhvilluara. “Ky program është një pjesë e projektit `Gjuha shqipe dhe kompjuteri`, projekt me synime edhe më të mëdha. Mendojmë se ky projekt, i mbështetur nga gjuhëtarët më të shquar shqiptarë, shënon një epokë të re për gjuhën shqipe, konstatim ky i bazuar në përvojat që kanë pasur gjuhët e kombeve të zhvilluara”, deklaroi ai.

Programi AS 2.0 është i njëjtë me programet e gjuhëve të tjera në kuadër të Microsoft Office dhe në pajtim me programin operativ Microsoft Windows të çdo versioni. Me këtë program për drejtshkrim korrigjohen mbi një milion fjalë e trajta fjalësh, përkatësisht rreth katër milionë trajta të përsëritshme.

“Shfrytëzuesi nuk i duhet trajnimi i veçantë për përdorimin e këtij programi, mjaftojnë pesë minuta për përvetësimin e tij”, është shprehur ai, duke bërë të ditur se korrigjimi automatik mund të ketë ndikim të madh edhe nëse shfrytëzuesi nuk e di që programi është i instaluar në kompjuterin e tij.

Sipas Shishanit, qëllimi është arritur me punën ekipore, me një ekip mbikëqyrës së statistikës gjuhësore, me partnerë ndërkombëtarë dhe vendas dhe me përkrahje morale të institucioneve tona më të larta shtetërore.

Qeveria e Kosovës ka blerë nga QEP-i këtë program dhe çdo banor i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, do të ketë të drejtën e shfrytëzimit falas së këtij softueri.

Pyetjes se sa jeni optimist që ky program do të ndikojë në standardizimin e gjuhës shqipe, profesori Isa Bajçinca i është përgjigjur: “Ky projekt do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për standardizimin e gjuhën shqipe”.

Mediat për ne