Shpjegim për një analfabet modern

Lulëzim Shishani
Drejtor i Qendrës për Edukim dhe Përparim

Lulëzim ShishaniNdaj shkrimit të z. Mehmet Kraja, "Drejtshkrimi kompjuterik", nuk do të reagoja fare - pasi ai nuk është as ekspert gjuhësor e aq më pak ekspert i gjuhësisë kompjuterike - po të mos ishte i sajuar kryekëput nga trillime e sende të paqena.

Njeriut "të gjithëdijshëm", që në shkrimin e tij tregon qartë se nuk ka as njohuritë fillestare për kompjuterin, madje as të përdoruesit më të zakonshëm, e i cili merr guximin të gjykojë një program të gjuhësisë kompjuterike, do t'i përgjigjem me disa fjalë (lexo: fakte).

Programi për drejtshkrim "AS 2.0" është shqyrtuar dhe testuar nga ekspertët më të shquar shqiptarë dhe ndërkombëtarë (si p.sh. të Microsoft-it), madje po sipas këtij testimi, ky program është cilësuar si një prej më të përparuarve në këtë fushë. Nuk e di nëse zoti Kraja ka përdorur ndonjëherë "spellchecker" në ndonjë gjuhë tjetër (nuk ma merr mendja), por ata që i përdorin e dinë fare mirë se çka ofrojnë dhe si funksionojnë këto programe.

Po ashtu autori "i gjithëdijshëm" i shkrimit merr guximin madje të tregojë edhe çfarë përmban ky program. Sipas tij AS 2.0 është kryekëput "Fjalori i gjuhës së sotme shqipe" ose "Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe", të hartuar në vitet '70 të shekullit të kaluar.

Z. Kraja, dashtë Zoti që së paku të kesh njohuri për numrat

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe" ka vetëm 1.500 faqe, ndërsa fjalori drejtshkrimor i AS 2.0 i Qendrës për Edukim dhe Përparim, ka jo më pak se 40.000 faqe të formatit A4 dhe po qe se do të botohej si libër, do të peshonte mbi 100 kg. Sa peshon ti z. Kraja? Softueri "AS 2.0" veç të tjerave përmban: fjalë nga Fjalori i fjalëve dhe shprehjeve të huaja, Fjalori i sinonimeve, Fjalori i termave të gjuhësisë, Fjalori i termave letrarë, Fjalori politik, Fjalori i psikologjisë, Fjalori i pedagogjisë, Fjalori politeknik, Fjalori i bujqësisë, Fjalori i mekanikës, Fjalori i gjinekologjisë dhe obstetrikës, dhjetëra mijëra fjalë të shtuara në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, si dhe disa milionë trajta të pjesëve të ndryshme të ligjëratës. Po të filloje t’i numëroje fjalët e “AS 2.0”, s’do të mjaftonte tërë jeta.

Hutimi i lexuesit

Z. Kraja në shkrimin e tij madje e huton lexuesin duke akuzuar QEP-in për moshartimin e fjalorëve të gjuhës shqipe, ose për moskrijimin e fjalëve të reja.

I nderuari akademik me korrespondencë, e keni gabuar adresën. Përgjegjësi dhe akuza mund të drejtosh e të kërkosh në institucionin pjesë e të cilit je, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ne qysh moti e kemi kuptuar se gjuhësia kompjuterike është e vetmja mënyrë për mbrojtjen, pasurimin dhe avancimin e gjuhës. Jo pse ishim më të mençur, po sepse punojmë e nuk merremi me dokrra dhe vetëm kemi realizuar atë që kombet më të zhvilluara e kanë qysh moti.

Në program, z.Kraja, janë përfshirë mbi katër milionë trajta të përsëritshme përkatësisht 1,5 milionë trajta të papërsëritshme, ndërsa puna ende vazhdon dhe mu sikurse kemi premtuar, programi ynë do të rifreskohet çdo tre muaj. Ne nuk shpikim fjalë të reja, ndërsa ato që duhen futur patjetër në program, vlerësohen nga ekspertët e gjuhës.

Dhe më në fund...

I nderuari akademik me korrespondencë Kraja,

Nuk e di pse të pengon përparimi i gjuhës shqipe, nuk e di pse të pengojnë mbi pesë milionë përmirësime automatike të gabimeve, miliona sugjerime përkatëse, të cilat ti nuk i ke përmendur asnjëherë në shkrimin tënd, por ne (kuptohet edhe të gjithë lexuesit e gazetës suaj) do të ishim shumë të lumtur po qe se ti do të aftësoheshe për të punuar në kompjuter dhe do ta përdorje programin për drejtshkrim AS 2.0.

Sa për ilustrim zoti Kraja, skanimi i disa shtojcave "Koha për kulturë" përgjegjës i së cilës je, na ka bërë të ditur se ti ke nevojë jashtëzakonisht të madhe për këtë program. Vetëm gjatë një viti programi AS 2.0 i ka detektuar kësaj shtojce mbi 5.000 gabime gjuhësore. Vetëm në shtojcën nr. 238 keni fyer lexuesin me së paku 100 gabime. P.sh. poashtu, intitucioneve, poaq, hudhjen, llojlloshmërisë, njejtën, engjujsh, pautorizuar, përcakoj, gënjeshra, rushi, pregaditje, ëndrroja, bibilotekën, mëmdheut, fëmijtë, përqëndruan, univerzitetet, vepërën, arkelologji, përgjithsi, shtetasëve, vetpërmbajtjes, persiatje, vështuar, prapseprapë, mvetësinë, shpitërore, mëvetsishme, paralamjërohej, pararëndësit, paqjen, zjarmia, pleqëve, shenojë etj.

Me përdorimin e këtij programi ato do të mënjanoheshin e shumica prej tyre me “autokorrekt”. Ndërsa shkrimet e tua në këtë shtojcë janë problem i veçantë drejtshkrimor. Ju pos që bëni gabime drejtshkrimore, keni probleme serioze edhe me trajtat foljore dhe me ato të pjesëve të tjera të ligjëratës, p.sh. ndieshëm, kujtdoqoftë, shumëkë, etj. (nr. 245); shpiente, pakufijshme, kredhej, etj. (nr. 244); intitucioneve, etj. (nr. 238); pjestëarët, meçur, flëtore, përfilluar, ngritet, minstrin, etj. (nr. 239); amandamente, emron, këshilldhënëse, ndieshme etj. (240).

Fatbardhësisht z. Kraja kam një “sihariq” për ty

Së shpejti në faqen tonë të internetit “www.gjuha-shqipe.com”, do të mund të shkarkoni programin shkollor për përvetësimin e gjuhës shqipe, dhe fare lehtë do t'i mësoni trajtat e duhura të fjalëve të gjuhës shqipe. Se fundja këtë praktikë e kanë përdorur edhe popujt më të zhvilluar në botë, për të mos pasur në mesin e tyre analfabetë modernë.

Z. Kraja, ti vazhdo me gjepurat e tua, po ato nuk na pengojnë dot ne që të vazhdojmë të bëjmë shkencë kompjuterike.

 

Mediat për ne