Lajm – Ekskluzive - CULT 19 janar, 2005

Prezantohet programi kompjuterik për drejtshkrimin AS 2.0

Lamtumirë gabime gjuhësore!

Shpend Çoçaj

Programi kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0 i punuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), “ ua heq gajlen” gjuhëtarëve dhe shfrytëzuesve të kompjuterit. Nga marsi, në çdo kompjuter që instalohet ky program, më nuk do të ketë gabime gjuhësore.

Përfaqësues të QEP-it prezantuan Programin AS 2.0 të martën, kurse nga muaji mars ai do t’iu shpërndahet të gjithë qytetarëve, mediave dhe institucioneve të Kosovës.

Përveç Programit Drejtshkrimor, i cili tashmë është i përfunduar, brenda këtij viti, QEP-i, në kuadër të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, do t’i përfundojë edhe dy programe tjera: Fjalorin Elektronik Shpjegues dhe Programin për Përvetësimin e Gjuhës Shqipe.

Programi AS 2.0 është i njëjtë me programet e gjuhëve të tjera në kuadër të “Microsoft Office”-it dhe në pajtim me programin operativ “Microsoft Windows” të çdo versioni.

Në këtë program për drejtshkrim korrigjohen mbi një milion fjalë e trajta fjalësh, përkatësisht rreth katër milionë trajta të përsëritshme.

Lulëzim Shishani, nismëtar dhe udhëheqës i projektit, tha se shfrytëzuesit nuk i duhet trajnimi i veçantë për përdorimin e këtij programi - mjaftojnë pesë minuta për përvetësimin e tij. “Korrigjimi automatik mund të ketë ndikim të madh, edhe nëse shfrytëzuesi nuk e di që programi është i instaluar në kompjuterin e tij”, tha ai.

Ky program është mbështetur edhe nga gjuhëtarët e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institucioneve të tjera.

“Ne e morëm gjuhën shqipe në përkrahje, pa e pyetur kënd, edhe pse më vonë patëm përkrahje nga gjuhëtarët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe nga Qeveria e Kosovës. Presim që edhe Qeveria e Shqipërisë të shpreh interesim për këtë projekt”, shtoi Shishani.

Gjuhëtari Isa Bajçinca e vlerësoi pozitivisht programin dhe rëndësinë që do të ketë ai për gjuhën shqipe. “Ky program, përveç qytetarëve të rëndomtë, do t’u ndihmojë shumë edhe ekspertëve të gjuhës, shkrimtarëve etj. Rezultati i QEP-it përbën një vepër shumë të madhe për gjuhën shqipe”, tha ai.

Mediat për ne