BOTA SOT – Kultura, 19 janar 2005

U BË PARAQITJA PUBLIKE E PROJEKTIT “GJUHA SHQIPE DHE KOMPJUTERI”

VITI 2005, VIT I GJUHËS SHQIPE

Prishtinë, 18 janar - Në prani të studiuesve të gjuhës shqipe dhe mediave, u bë paraqitja publike e përfundimisht të suksesshëm të projektit, “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, me ç’rast do të fillojë edhe instalimi i Programit Kompjuterik për Drejtshkrimin AS 2.0.

Nismëtari dhe udhëheqësi i këtij projekti, Lulëzim Shishani, bëri me dije se Qendra për Edukim dhe Përparim, shpall vitin 2005, vit të gjuhës shqipe. Që nga ky moment fillon instalimi i programit kompjuterik për drejtshkrim, së pari për mediat e Kosovës, kurse nga marsi do të vendoset në faqen e internetit të QEP-it dhe Qeverisë së Kosovës për shkarkim falas nga secili banor i Kosovës brenda dhe jashtë vendit, për të gjitha institucionet e Kosovës, qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe për ndërmarrjet private dhe publike të Kosovës dhe mediat në Kosovë. Duke i bërë një vështrim asaj që i shtyri të bënin një projekt të tillë, z. Shishani tha se ishim të vetëdijshëm se do të do të ballafaqoheshim me shumë vështirësi, që nga ato gjuhësore, që me problemet të tilla kombi ynë ballafaqohet me dekada.

Realizimet e projekteve janë të rralla në historinë e gjuhëve, madje edhe te kombet e përparuara. Një projekt i tillë modest është edhe doracaku, përkatësisht programi kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0, realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP).

Ky projekt është pjesë e projektit “Gjuha dhe kompjuteri”, me synime edhe më të mëdha. Ky mbështetet nga gjuhëtarët më të shquar shqiptarë, shënon një epokë të re për gjuhën shqipe, duke u nisur nga konstatimi i bazuar në përvojat që kanë pasur gjuhët e kombeve të zhvilluara.

Programi AS 2.0, është me programet e gjuhëve të tjera, në kuadër të Microsoft Office, dhe në pajtim me programin operativ Microsoft Windows, të çdo versioni. Me këtë program korrigjohen mbi 1 milion fjalë e trajta fjalësh, përkatësisht rreth 4 milion trajta të përsëritshme. Përparësi e këtij sistemi është se shfrytëzuesit nuk i duhet trajnim i veçantë për përdorimin e tij, por mjaftojnë 5 minuta për përvetësim. Korrigjimi automatik mund të ketë ndikim të madh edhe nëse shfrytëzuesi nuk e di që programi është i instaluar në kompjuterin e tij.

Kjo u arrit me punë ekipore, me një ekip të mbikëqyrjes së saktësisë gjuhësore, me partnerë ndërkombëtarë dhe vendës, si dhe me përkrahjen e institucioneve. Në saje të licencës ekskluzive që Qeveria e Kosovës e ka blerë nga QEP-i, çdo banor i Kosovës do të ketë mundësinë e shfrytëzimit falas të këtij softueri. Me përdorimin e tij do të evitohet bastardimi i gjuhës amtare si dhe ngritja e nivelit të saj në gjuhë standarde . Përparësia e këtij sistemi është korrigjimi automatik i fjalës, kur ndonjë shkronjë në fjalë është e shkruar më tepër, e shkruar gabim etj.

Vlerësime pozitive për implementimin e këtij sistemi dha prof. I. Bajçinca, i cili e vlerësoj si ndihmesë për ekspertët e gjuhës, shkrimtarët dhe të gjitha fushat më të sofistikuara të gjuhës sonë. Së këndejmi do të ndikojë në rritjen e shkallës së njohjes së drejtshkrimit të gjuhës sonë.

Ajete Zogaj

Mediat për ne