Portali OneWorld - Evropa Juglindore 26 Mars, 2005
Gjuha shqipe pasurohet me programin kompjuterik për drejtshkrim
Luan Ibraj
Në mjediset e hotelit Grand në Prishtinë, të shtunën u bë promovimi i programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0, të realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP). Me punën e QEP-it, gjuha shqipe hyn në familjen e 50 gjuhëve të tjera të cilat kanë arritur që gjuhën e tyre ta kompjuterizojnë, tha mes tjerash, Lulëzim Shishani, nismëtar dhe udhëheqës i projektit.
Programi AS 2.0 është i njëjtë me programet e gjuhëve të tjera në kuadër të Microsoft Office-s dhe në pajtim me programin operativ Microsoft Windows të çdo versioni. Me këtë program për drejtshkrim korrigjohen mbi 1 milion fjalë e trajta fjalësh, përkatësisht rreth 4 milion trajta të përsëritshme.
Në saje të licencës ekskluzive që Qeveria e Kosovës ka blerë nga Qendra për Edukim dhe Përparim, çdo banor i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, do të ketë të drejtën e shfrytëzimit falas të këtij softueri. Prej sot e tutje ky program mund të shkarkohet edhe nga vet faqja e Qendrës për Edukim dhe Përparim, në këtë lidhje interneti, Programi për drejtshkrim AS 2.0 me udhëzim për instalim dhe përdorim.
Promovimi u përcjell me interesim nga gjuhëtarë të njohur të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët njëkohësisht lavdëruan punën e palodhshme të QEP-it, dhe theksuan përparësitë që ky program ofron në përparimin e gjuhës shqipe.
Qendra për Edukim dhe Përparim - QEP është organizatë joqeveritare dhe politikisht e paanshme e krijuar më 1999. Organizata në fjalë i zhvillon aktivitetet e saj në bashkëpunim me Akademitë e Shkencave dhe të Arteve në Tiranë e Prishtinë, me institucionet më të rëndësishme gjuhësore shqiptare dhe me të gjitha organizatat e tjera, që kanë qëllime të njëjta.
Valentina REXHA