Kosova Sot – Kulturë, 19 janar 2005

“GJUHA SHQIPE DHE KOMPJUTERI”

Programi kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0 mundëson korrigjimin e mbi 1 milion fjalëve e trajta fjalësh, përkatësisht rreth 4 milionë trajta të përsëritshme

Prishtinë, 18 janar - Paraqitja publike e përfundimit të suksesshëm të projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, ishte projekt i realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim, i cili projekt do të ndihmojë instalimin e programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0. Kjo u bë e ditur në një paraqitje publike në Hotelin Grand në Prishtinë. “Qendra për Edukimin dhe Përparimin shpall vitin 2005, vit të gjuhës shqipe dhe se që nga ky moment fillon instalimi i programit kompjuterik për drejtshkrim, së pari për mediat e Kosovës”, tha z. Lulëzim Shishani, udhëheqës i këtij projekti. Ai më tej shtoi se nga muaji mars ky program do të vendoset në faqen e internetit të QEP-it dhe Qeverisë së Kosovës për shfrytëzim falas nga secili banor i Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, për të gjitha institucionet e Kosovës, qeveritare dhe joqeveritare, si dhe për ndërmarrje private dhe publike të Kosovës dhe mediat në Kosovë.

Duke i bërë një vështrim asaj që i shtyri të bënin një projekt të tillë, z. Shishani shtoi që “ishim të vetëdijshëm se do të ballafaqohet me shumë vështirësi, që nga ato gjuhësore, që me probleme të tilla kombi ynë ballafaqohet me dekada. Realizimet e projekteve janë të rralla në historinë e gjuhëve, madje edhe te kombet e përparuara. Projekti në fjalë është pjesë e projektit “Gjuha dhe kompjuteri”, me synime edhe më të mëdha, i cili projekt mbështetet edhe nga gjuhëtarët më të shquar shqiptarë. Programi AS 2.0 është me programet e gjuhëve të tjera, në kuadër të Microsoft Office, dhe në pajtim me programin operativ Microsoft Windows, të çdo versioni. Me këtë program korrigjohen mbi 1 milion fjalësh, përkatësisht rreth 4 milion trajta të përsëritshme. Përparësi e këtij sistemi është se shfrytëzuesit nuk i duhet trajnimi i veçantë për përdorimin e tij, por mjaftojnë 5 minuta për përvetësim. Korrigjimi automatik mund të ketë ndikim të madh edhe nëse shfrytëzuesi nuk e di që programi është i instaluar në kompjuterin e tij. Në saje të licencës ekskluzive që Qeveria e Kosovës e ka blerë nga QEP-i çdo, banor i Kosovës do të ketë mundësinë e shfrytëzimit falas të këtij softueri. Me përdorimin e tij do të evitohet bastardimi i gjuhës amtare si dhe mundësohet ngritja e nivelit të saj në gjuhë standarde. Përparësia e këtij sistemi është korrigjimi automatik i fjalës, kur ndonjë shkronjë në fjalë është e shkruar më tepër, e shkruar gabim etj.

Vlerësime pozitive për implementimin e këtij sistemi dha prof Isa Bajçinca, i cili e vlerësoi si ndihmesë për ekspertët e gjuhës, shkrimtarët dhe të gjitha fushat më të sofistikuara të gjuhës sonë, duke shtuar që së këndejmi se ky program do të ndikojë në rritjen e shkallës së njohjes së drejtshkrimit të gjuhës sonë”.

Valentina REXHA

Mediat për ne