Lajm- Ekskluzive - M I X 27 mars, 2005
QEP-i promovon programin kompjuterik për drejtshkrimin e shqipes “AS 2.0”
Kompjuteri “lektor”i shqipes
“Qeveria e ka në duar armën më efikase për luftimin e problemeve të gjuhës shqipe”,- tha Lulëzim Shishani
Ardian Jasiqi
“Për të filluar instalimin, kliko ‘Start’, ‘Run...’ dhe zgjidh SETUP.EXE, i cili përgatit magjistarin për instalim. Në ekran paraqitet dritarja “Welcome to the AS.2.0 Setup Wizard”, që tregon se mund të fillosh instalimin. Për të vazhduar shtyp “Next”.
Kjo është procedura përdorues shqiptar i kompjuterit ta instalojë programin kompjuterik për drejtshkrimin e shqipes “AS 2.0”, që u promovua të shtunën në Prishtinë, nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP).
“AS 2.0” është një program që bën korrektimin e gjuhës shqipe, pra të gabimeve gjuhësore. Por ne gjatë kësaj periudhe do të mundohemi qenë kuadër të tij të fusim edhe ndreqjen e gabimeve morfo-sintaksore”,- tha Lulëzim Shishani.
Viti 2005 është shpallur vit i gjuhës shqipe, pasi para 500-vjetësh është botuar “Meshari” i Gjon Buzukut.
Gjuhëtari Isa Bajçinca tha se i vjen mirë për këtë program. Ndërkaq, gjuhëtari nga Tirana, Emil Lafe, tha së është kënaqësi të shohësh edhe gjuhën shqipe të kompjuterizuar. “Eqrem Çabej thoshte një barsoletë - se gjuhëtari është si zagari, i cili lajmëron gjuetarin për prenë e tij. Edhe ky program është i tillë - ashtu si zagari i tregon shkruesit të tekstit, me një vijë të kuqe poshtë fjalës, për gabimin e bërë”, - tha ai.
Shkarkimi i këtij programi kompjuterik mund të bëhet nga faqja e internetit www.gjuha-shqipe.com. Deri më tash, programi posedon rreth 1.800.000 folje dhe rreth 1.500.000 trajta të ndryshme foljore, pa llogaritur edhe programet e tjera që parashihet të bëhet, si fjalori, programi për mësimin e gjuhës shqipe etj.
Organizatorët e kanë kritikuar Tiranën zyrtare që nuk ka pranuar “AS 2.0”. për korrektin të gjuhës shqipe, Programi “AS 2.0” është financuar nga Qeveria e Kosovës. Ai është pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”.