Koha Ditore – Shoqëri-Art-Kulturë, 19 janar 2005

QEP-i promovoi programin drejtshkrimor AS 2.0

Viti 2005, vit i gjuhës shqipe

“Kur e filluam këtë projekt kishim shpresë dhe frikë njëkohësisht. Shpresë se edhe gjuhën shqipe do ta fusim në mesin e gjuhëve të kompjuterizuara, ndërsa frikë sepse ishim të vetëdijshëm se do të ballafaqohemi me shumë vështirësi”, ka deklaruar Lulëzim Shishani, drejtor i QEP-it, në këtë paraqitje publike të programit kompjuterik drejtshkrimor AS 2.0

Adem Abazi

Prishtinë, 18 janar - Shqipja standarde është ngritur në nivelin e gjuhëve më të zhvilluara të botës në fushën e modernizimit të saj kompjuterik. Si pak gjuhë botërore, shqipja standarde, ka përfituar tri programe të paçmueshme në fushën e drejtshkrimit, por edhe të përdorimit profesional. Kjo e arrirë është rezultat i punës të Qendrës për Edukim dhe Përparim (QEP), me seli në Prishtinë.

QEP-i, në një konferencë për medie, të martën në hotelin “GRAND”, ka bërë promovimin e programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0, i cili nga muaji mars do të shpërndahet për të gjithë qytetarët, mediat dhe institucionet e Kosovës. Ky program është pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, projekti në të cilin QEP-i ka punuar për gjashtë vjet të tërë.

“Kur e filluam këtë projekt kishim shpresë dhe frikë njëkohësisht. Shpresë se edhe gjuhën shqipe do ta fusim në mesin e gjuhëve të kompjuterizuara, ndërsa frikë sepse ishim të vetëdijshëm se do të ballafaqohemi me shumë vështirësi”, ka deklaruar Lulëzim Shishani, drejtor i QEP-it. Duke shprehur rëndësinë e këtij programi për zhvillimin dhe ruajtjen e një gjuhe, Shishani ka shtuar se realizime të këtilla janë të rralla në historinë e gjuhëve, madje edhe te kombet e zhvilluara”.

Ky program, përkundër vështirësive dhe hezitimeve fillestare, është mbështetur edhe nga gjuhëtarët e Kosovës Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe institucioneve të tjera.

“Ky projekt shënon një epokë të re për gjuhën shqipe”, ka konstatuar Shishani, duke u mbështetur në përvojat e ngjashme të gjuhëve më të zhvilluara të botës.

Programi për drejtshkrim AS 2.0 është i njëjtë me programet e gjuhëve të tjera në kuadër të Microsoft Office dhe në programin operativ të Microsoft Windows të çdo versioni. Me këtë program për drejtshkrim korrigjohen mbi 1 milion fjalë e trajta fjalësh, përkatësisht rreth 4 milionë trajta të përsëritshme, ku hyn edhe korrigjimi automatik dhe është mjaft i lehtë për përvetësimin e mënyrës së përdorimit.

Përveç programit drejtshkrimor, i cili tashmë është i përfunduar, brenda këtij viti QEP-i do t’i përfundoj edhe dy programe të tjera, fjalorin elektronik shpjegues dhe programin për përvetësimin e gjuhës shqipe.

Kanë qenë pikërisht këto projekte që e kanë shtyrë QEP-in që vitin 2005 ta shpallë si vit të gjuhës shqipe.

“Ne e morëm gjuhën shqipe në përkrahjen, pa e pyetur kënd, edhe pse më vonë patëm përkrahje nga gjuhëtarët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria si dhe nga vetë Qeveria e Kosovës. Presim që edhe Qeveria e Shqipërisë të shprehë interesim për këtë projekt”, deklaroi Shishani në këtë konferencë për medie.

Të pranishëm në promovimin publik të programit kompjuterik drejtshkrimor AS 2.0 ishin edhe gjuhëtarë të Kosovës të cilët kanë bashkëpunuar me QEP-in. Për Isa Bajçincën ky projekt është një e arritur e cila do të ketë pasoja shumë pozitive për gjuhën shqipe. “Ky program, përveç qytetarëve të rëndomtë, do t’u ndihmojë shumë edhe ekspertëve të gjuhës, shkrimtarëve etj. Rezultati i QEP-it përbën një vepër shumë të madhe për gjuhën shqipe”, ka vlerësuar Bajçinca.

Në këtë ceremoni të promovimit të këtij programi kompjuterik drejtshkrimor për gjuhën shqipe standarde, drejtues të QEP-it kanë bërë edhe një demonstrim praktik të kapaciteteve korrigjuese, automatike dhe sugjeruese të këtij programi. Nga ky projekt, përveç se shqipja standarde ka përfituar një mik të madh, të pamëshirshëm ndaj gabimeve gjuhësore, ai është shndërruar në një institucion të respektit të kombit dhe nxënies së hapit me qytetërimin modern.


Mediat për ne