Zëri – Kultura, 19 janar 2005

Filloi instalimi i Programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0

Qendra për Edukim dhe Përparim shpall 2005-shin vit të gjuhës shqipe

Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” përfshinë tri programe: Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe me korrigjim automatik, Fjalorin shpjegues të gjuhës shqipe

Ardian Haxhaj

Që nga dita e djeshme në Kosove filloi instalimi i Programit kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0, se pari për të gjitha mediat kosovare, e nga marsi do të vendoset në faqen e internetit të Qendrës për Edukim dhe Përparim (QEP) dhe të Qeverisë së Kosovës, me shkarkim falas. Kështu konfirmoi dje në një konferencë për media në ambientet e hotelit Grand në Prishtinë, Lulëzim Shishani, nismëtari dhe udhëheqësi i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”. Duke e shpallur njëherit 2005-shin vit të gjuhës shqipe.

Programin kompjuterik për drejtshkrim AS 2.0 mund ta shfrytëzojnë falas të gjithë banorët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, banorët me dy nënshtetësi, nëse e kanë njërën nënshtetësi të Kosovës, qeveritare dhe joqeveritare, brenda dhe jashtë vendit, ndërmarrjet private dhe publike të Kosovës, si dhe mediat kosovare.

Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” përfshin tri programe: Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe me korrigjim automatik, Fjalorin shpjegues të gjuhës shqipe dhe Programin për përvetësimin e gjuhës shqipe.

“Kur e filluam këtë projekt, para gjashtë vjetësh, kishin shpresë dhe frikë njëkohësisht. Shpresë se edhe gjuhën shqipe do ta fusnim në mesin e gjuhëve të kompjuterizuara, ndërsa frikë sepse ishim të vetëdijshëm se do ballafaqohemi me shumë vështirësi, që nga vështirësitë gjuhësore, me të cilat ballafaqohet kombi ynë për dekada të tëra, pengesat burokratike në institucionet tona shkencore e shtetërore”, pohoi Shishani. Sipas tij, realizime të programeve të tilla janë të rralla në historitë e gjuhëve, madje edhe te kombet e zhvilluar. Ky program është një pjesë e projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, projekti me synime edhe më të mëdha. Programi AS 2.0 është i njëjtë me programet e gjuhëve të tjera në kuadër të Microsoft Office dhe në pajtim me programin operativ Microsoft Windows të çdo versioni. Me këtë program për drejtshkrim korrigjohen mbi 1 milion fjalë e trajta fjalësh, përkatësisht rreth 4 milion trajta të përsëritshme. Përvetësimi i gjithë kësaj bëhet vetëm për pak minuta.

“Kur shumëkush kishte hequr dorë nga zgjidhja problemit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ne e morëm atë si prioritet që duhej zgjidhur. Me punë ekipore, me një ekip të mbikëqyrjes së saktësisë gjuhësore, me partnerë ndërkombëtar dhe vendës dhe përkrahjen morale të institucioneve tona më të larta shtetërore, ia arritëm qëllimit. Me përdorimin e këtij programi ju nuk do të jeni më vëzhgues të rëndomtë të bastardimit të gjuhës amtare, por do të kontribuoni në ngritjen e nivelit të saj çdo ditë e më shumë” u shpreh Lulëzim Shishani.

Mediat për ne