EPOKA E RE – Kulturë, 19 korrik 2005
QEP, aktivitete të suksesshme për gjuhën shqipe
Ylldije Sulka
Prishtinë 18 korrik – Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP) e Kosovës e cila e ka shpallur këtë vit si vitin e gjuhës shqipe, ka paraqitur në një konferencë për media programin më të përparuar kompjuterik për përvetësimin dhe studimin e thellë të gjuhës shqipe të emërtuar “Kulla e shqipes”.
Në fjalën e tij, drejtori i QEP, Lulëzim Shishani, ka thënë se në kundër të këtij softueri të realizuar nga QEP, është përfshirë pothuaj krejt gjuha shqipe, me mundësi të mëtejshme pasurimi dhe plotësimi ne një sistem të veçantë gramatikor tabelor.
Më tej ai ka thënë se softueri i “Kulla e shqipes”, në programin e vet ka mbi 4 milionë fjalë, dhe se e tërë kjo pasuri është për të gjithë të interesuarit, pra për të gjithë shqipshkruesit, ku mund të përfshihen që nga nxënësit e deri tek studiuesit fare lehtë mund të përdorin lakimin e emrave, përemrave, numërorëve, zgjedhimin e foljeve, etj. Pra, një sistem i tërë gjuhësor i hedhur në kujtesën elektronike.
Gjithashtu, risi është edhe një version i ri i pasuruar i programit për drejtshkrim AS 2.0, u tha në këtë konferencë për media nga drejtuesit të cilët edhe dhanë shembuj praktik me ilustrimin drejtshkrimore. Madje ky version i pasuruar për drejtshkrim përmban mbi 2 milion trajta fjalësh të papërsëritshme ku janë përfshirë të gjitha fjalët e dërguara nga shfrytëzuesit e versionit të mëparshëm. Po ashtu në këtë program janë përfshirë rreth 160 mijë forma foljesh, si p. sh. “s”, “ç”, etj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kategori të tjera gjuhësore si emri, mbiemri etj.
Me interes në këtë konferencë ishte edhe projekti që deri në fund të këtij viti, QEP do të vendosë për shkarkimin në faqen e saj të internetit dhe fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe, shumë libra elektronikë si dhe komponentin e sinonimeve të gjuhës shqipe, gjë e cila iu mundëson të gjithëve të shkruarit me stil dhe të pasur të gjuhës shqipe.
Po ashtu, krahas mbi 20 mijë shkarkimeve të programit për drejtshkrim AS 2. 0, janë bërë një sërë instalimesh, shifra e tij kalon në qindra-mijëra, madje sipas drejtuesve të QEP, ka filluar të rritet ndjeshëm edhe numri falënderuesve. Po ashtu ky program ka edhe vend për sugjerime si dhe për kritika në dobi të pasurimit të të shkruarit drejt të gjuhës shqipe. Por kjo edhe pse është dobi të kujtdo, përsëri kemi tekste dhe dokumente të shkruara gabim, shtuan më tej drejtuesit e këtij programi, dhe kjo më së shumti bëhet nga ana e institucioneve që edhe pse ky është falas, përsëri bëhet injorimi i këtij shërbimi të vyer.
Ndërsa ky program ka qenë edhe është vetëfinancuar, nuk i ka shpëtuar edhe dukurisë së piratërisë. Dhe madje institucione të tilla si UNMIK, apo institucionet qeveritare të Shqipërisë etj. Dhe këta drejtues bëjnë thirrje që të njihet e drejta e autorit nga ana e qeverisë shqiptare sepse vetëm në këtë mënyrë mbrohet dhe pasurohet gjuha shqipe. Gjithashtu në këtë konferencë për media u theksua edhe se ky është një vazhdim i përhershëm sepse edhe gjuha është një proces që pasurohet dhe zhvillohet.