BOTA SOT–Kulturë, 19 korrik 2005

“KULLA E SHQIPES” ME MBI 4 MILIONË TRAJTA FJALËSH

Prishtinë, 18 korrik - Në ambientet e hotelit “Grand” është bërë paraqitja publike e fillimit të instalimit ë softuerit për përvetësimin dhe studimin e thellë të gjuhës shqipe, “Kulla e shqipes”.

Më këtë rast Lulëzim Shishani, nismëtar i këtij projekti, tha se në zhvillimin e ri shoqëror e hapësinor të botës shqiptare, gjuhësia kompjuterike është e vetmja alternativë për ruajtjen, begatimin dhe përparimin e gjuhës shqipe. Në kuadër të këtij softueri, i realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim, është përfshirë tërë gjuha shqipe e paraqitur me një sistem të veçantë gramatikor tabelor.

Përmes këtij softueri tha më tej z. Shishani, nxënësit, studentët dhe studiuesit e tjerë mund të mësojnë lakimin e emrave, mbiemrave, përemrave, si dhe zgjedhimin e foljeve. Ky program është shumë i lehtë për t’u përdoruar. Andaj që nga sot, fillon instalimi i tij dhe në vijim mund të shkarkohet edhe nga faqja jonë e internetit www.gjuha-shqipe.com. Softueri “Kulla e shqipes” përmban mbi 4 milionë trajta fjalësh. Që nga muaji shtator, sipas nismëtarit të projektit, këtë program mund ta shkarkojnë falas të gjithë banorët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, falë licencës ekskluzive për pakon tonë të programeve që Qeveria e Kosovës ka blerë vitin e kaluar.

Risi tjetër e QEP-it është versioni i ri i programit për drejtshkrim AS 2.0, i cili që sot do të vendoset për shkarkimin në faqen e internetit www.gjuha-shqipe.com. Në këtë version janë përfshirë të gjitha fjalët e dërguara nga shfrytëzuesit e versionit të mëparshëm dhe me një angazhim të jashtëzakonshëm, ku është arritur të shtohen edhe mbi 168.000 forma foljesh me s’, 171.000 forma foljesh me ç’ 46.000 trajta emrash me ç’.

U tha se deri në fund të këtij viti të gjuhës shqipe, QEP-i do të vendosë për shkarkimin në faqen e saj të internetit dhe fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe, shumë libra elektronikë, si dhe komponentin-sinonimik. “Programi “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” çdo herë është vetëfinancuar dhe vazhdon të vetëfinancohet”- tha z. Shishani, për të shtuar se të gjitha të drejtat autoriale për secilin komponent dhe për secilin softuer janë të rezervuara nga QEP-i dhe janë pronë e QEP-it.

Gjithashtu pati vërejtje sa i përket Qeverisë së Shqipërisë për çka z. Shishani tha: “Me metodat bashkëkohore që zbatuam, ne një dashuri të pastër, QEP-i e mori gjuhën shqipe nën përkujdesje, ngase ishte ‘jetime’. Fatbardhësisht sot nuk është e tillë, ngase i është kthyer njëri prind - Qeveria e Kosovës-shpresojmë që sa më parë të kthehet edhe prindi tjetër i papërgjegjshëm - Qeveria e Shqipërisë”. U tha se të drejtat autoriale shkelen në mënyrë flagrante në veçanti nga disa organizata të huaja në Kosovë.

Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” nuk do të mbaroj deri në vitin 2008, kur mund të bartet edhe ndonjë institucion tjetër shkencor mbarëkombëtar. Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” është një tregim që do të vazhdojë...

Ajete Zogaj

Mediat për ne