Zëri–Kultura, 19 korrik 2005
Pasurohen mundësitë e studimit të gjuhës shqipe me metoda kompjuterike
Nëpërmjet softuerit “Kulla e shqipes”, shqipshkruesit (nxënësit, studentët studiuesit etj.) mund të mësojnë lakimin e emrave, mbiemrave, përemrave e numërorëve, si dhe zgjedhimin e foljeve. Risi tjetër është edhe versioni i ri i pasuruar i programit për drejtshkrim AS 2.0, i cili përmban 2 milionë e 329 mijë e 939 trajta fjalësh të papërsëritshme
Ragip Sylaj
Programi më i përparuar kompjuterik për përvetësimin dhe studimin e thellë të gjuhës shqipe, i emërtuar “Kulla e shqipes”, nga organizatori Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), është quajtur softueri, paraqitja publike e të cilit u bë dje para gazetarëve në hotelin “Grand” në Prishtinë. Në kuadër të këtij softueri, të realizuar nga QEP, i cili drejtohet nga Lulëzim Shishani, është përfshirë tërë gjuha shqipe e paraqitur me një sistem të veçantë gramatikor tabelor.
“Nëpërmjet këtij softueri, shqipshkruesit (nxënësit, studentët, studiuesit etj.)mund të mësojnë lakimin e emrave, mbiemrave, përemrave e numërorëve, si dhe zgjedhimin e foljeve. Ky program është shumë i lehtë për t’u përdoruar. Që sot fillon instalimi i tij dhe në vijim mund të shkarkohet edhe nga faqja jonë e internetit www.gjuha-shqipe.com”, tha Lulëzim Shishani, sipas të cilit, që nga muaji shtator, këtë program mund ta shkarkojnë falas të gjithë banorët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, falë licencës ekskluzive për pakon e programeve të QEP, që Qeveria e Kosovës ka blerë vitin e kaluar, ndërsa për gazetarët dhe institucionet shkencore gjuhësore, instalimi i këtij programi fillon që tash.
Risi tjetër e QEP është edhe versioni i ri i pasuruar i programit për drejtshkrim AS 2.0, i cili që dje është vendosur për shkarkim në faqen e përmendur të internetit. Ky version, sipas drejtuesit të QEP, përmban 2 milionë e 329 mijë e 939 trajta fjalësh të papërsëritshme. Mund të thuhet s versionit të mëparshëm iu kanë shtuar afro një milion trajta të reja. Ndërkaq, në fund të këtij viti të gjuhës shqipe, siç e ka quajtur organizatori i këtij takimi, QEP do të vendosë për shkarkim në faqen e saj të internetit edhe fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe, shumë libra elektronikë, si dhe komponentin sinonimik.
Me tej z. Shishani foli edhe për ndryshimet që ka sjellë programi për drejtshkrim AS. 2.0, për të drejtat e tyre autoriale dhe piratërinë etj. Ai ka shfaqur kënaqësinë se në të gjitha institucionet ku është instaluar programi AS. 2.0, janë shmangur mijëra gabime gjuhësore, ndonëse ekziston një numër institucionesh që, qoftë në mungesë të njohurive themelore për softuerët, qoftë për shkak të injorimit të problemeve të drejtshkrimit, ende nuk e kanë instaluar këtë program. “Të drejtat tona autoriale shkelen nga në mënyrë flagrante, sidomos nga institucionet qeveritare të Shqipërisë, por edhe në Kosovë nga organizatat e huaja që përdorin ilegalisht softuerët tanë, siç është UNMIK-u. Kjo gjë pengon drejtpërdrejt përparimin e gjuhës dhe vonon zgjidhjen përfundimtare të problemeve të saj”, ka theksuar z.Shishani.
Ai, duke e konsideruar gjuhën shqipe dhe veprimtarinë e tyre kompjuterike në favor të saj një proces që vazhdon, tha se orientimi kryesor i QEP-it ka qenë gjuha standarde, mbështetur në formulën e njohur një komb – një gjuhë, por për çështje të rëndësishme shkencore, sipas tij, në të ardhmen do të kthehen fjalë e shprehje edhe na dialekti i gegërishtes. Në fund, drejtori i organizatës së specializuar për softuer “Albasoft”, i cili është edhe partner lokal i QEP, Vehbi Neziri demonstroi shembuj konkret në mënyrë kompjuterike në kontekst softuerit “Kulla e shqipes” dhe shembuj nga versioni i ri i pasuruar i programit për drejtshkrim AS 2.0.