KOHA Ditore – Shoqëri-Kulturë-Art, 19 korrik 2005

Të drejtat autoriale i shkelen edhe QEP-it

Prishtinë, 18 korrik (KD) – Në kuadër të vitit të gjuhës shqipe, i përcaktuar kohë më parë nga Qendra për Edukim dhe Përparim, në hotelin “Grand”, në Prishtinë, të hënën u bë përurimi i programit më të përparuar kompjuterik për përvetësimi dhe studimin e thellë të gjuhës shqipe, të quajtur “Kulla e shqipes”.

Versioni i ri i programit për drejtshkrim A.S 2.0 është pasuruar me më shumë se 2 milionë fjalë. Në versionin e ri, ku e tërë gjuha shqipe paraqitet me një sistem të veçantë gramatikor tabelor, përfshihen disa forma foljesh të cilat nuk kanë qenë pjesë e programit të mëparshëm, si format me (s’) dhe (ç’): (s’punoj, ç’thua, etj.).

Sipas drejtorit të Qendrës për Edukim dhe Përparim, Lulëzim Shishani, realizimi i këtij projekti ka kushtuar rreth 170 mijë euro. Ky version i ri është realizuar me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, e cila e ka përkrahur projektin e krijimit të këtij softueri kompjuterik. Projekti “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, në kuadër të së cilit është krijuar edhe programi “Kulla e Shqipes” çdoherë është vetëfinancohet, tha Shishani, duke shtuar edhe se të gjitha të drejtat autoriale për këtë program janë të rezervuara nga QEP-i dhe janë pronë e QEP-it. “Fatkeqësisht të drejtat tona autoriale shkelen në mënyrë flagrante, sidomos nga institucionet qeveritare të Shqipërisë, por edhe në Kosovë nga organizatat e huaja që përdorin ilegalisht softuerët tanë.

QEP-i ka njoftuar se projekti nuk përfundon këtu. Deri në fund të vitit të gjuhës shqipe të gjithë do të kenë mundësi që në faqen e internetit të Qendrës për Edukim dhe Përparim të shkarkojnë fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe, shumë libra elektronikë, si dhe komponentin sinonimik.

 

Mediat për ne