Lajm – Cult
Softuer me 4 milionë trajta fjalësh
Shpend Çoçaj
Programi kompjuterik “Kulla e shqipes”, një softuer për shqipshkruesit ku mund të mësojnë lakimin e emrave mbiemrave, përemrave e numërorëve si dhe zgjedhimin e foljeve, nga e hëna ka filluar të instalohet nëpër kompjuterët personalë. Në kuadër të këtij softueri, të realizuar nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), është përfshirë tërë gjuha shqipe e paraqitur me një sistem të veçantë gramatikor tabelor.
Drejtori i QEP-it Lulëzim Shishani, duke prezantuar këtë softuer të ri të hënën, në Prishtinë, tha se nga muaji shtator, këtë program mund ta shkarkojnë falas të gjithë banorët e Kosovës dhe shqiptarët në tërë botën, në faqen e internetit www.gjuha-shqipe.com. Po ashtu, risi tjetër nga QEP-i është versioni i pasuruar i programit për drejtshkrim AS 2.0, i cili tash përmban 2.329.939 trajta fjalësh të papërsëritshme.
Ndryshe nga versioni fillestar, në versionin e ri të programit për përmirësimin e gabimeve gjuhësore janë përfshirë fjalët e dërguara nga shfrytëzuesit e versionit të mëparshëm dhe janë futur 168.000 forma foljesh me <s’> dhe 171.000 forma foljesh me <ç’> si dhe 46.000 trajta emrash me <ç’>. Deri në fund të këtij viti, drejtori i QEP-it premton se do të vendosë për shkarkim falas në faqen e saj të internetit edhe fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe dhe komponentin sinonimik.
UNMIK-u dhe institucionet qeveritare të Shqipërisë shkelin të drejtat autoriale
Drejtori i QEP-it, Lulëzim Shishani thotë se vazhdojnë të shkelen të drejtat autoriale në mënyrë flagrante, sidomos nga institucionet qeveritare të Shqipërisë, por edhe në Kosovë nga organizatat e huaja që përdorin ilegalisht softuerët e QEP-it, përfshirë këtu edhe UNMIK-un. “Kjo gjë pengon drejtpërdrejt përparimin e gjuhës shqipe dhe vonon zgjidhjen përfundimtare të problemeve të saj”, tha Shishani.