Kosova sot - Kulturë, 29 dhjetor 2005
U promovua fjalori elektronik shpjegues i gjuhës shqipe
Shqipja forcon rrënjë në gjuhën e kompjuterizuara
Prishtinë, 28 dhjetor - Qendra për Edukim dhe Përparim, në kuadër të vitit të gjuhës shqipe, të shpallur në fillim të këtij viti, sot ka promovuar përfundimin e suksesshëm të disa softuerëve shumë të rëndësishëm: Fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës shqipe, Kullën e shqipes si dhe 10 librave elektronikë.
Lulëzim Shishani, drejtor i kësaj qendre, tha se përdorimi i këtij fjalori, i cili ngërthen në vete mbi 41 mijë fjalë, do t’i ndihmojë shqipshkruesit në hartimin e teksteve të ndryshme, duke kursyer kohën e tyre dhe duke rritur njëkohësisht cilësinë e shkrimit, të folurit dhe saktësinë e të shprehurit.
Nga studiuesit e gjuhës shqipe u vlerësua se me të gjithë këta softuerë të realizuar, gjuha shqipe po konkurron denjësisht me simotrat e saj më të zhvilluara dhe jo vetëm që është bërë pjesë e gjuhëve të kompjuterizuara: po edhe ka zënë vend meritor në mesin e tyre.