Lajm - Cult, 29 dhjetor 2005
Fjalori digjital me 41.000 fjalë
Mirsad Kuteli
Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP) e promovoi të mërkurën Fjalorin Elektronik Shpjegues (FESH), 10 libra elektronikë dhe softuerë të tjerë, pjesë të projektit mbarëkombëtar “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”. Drejtori i QEP-it, Lulëzim Shishani, tha se rezultatet e këtij projekti ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes së gjuhës shqipe.
“Fjalori ngërthen 41.000 fjalë dhe së shpejti ky fond do të dyfishohet, pasi në qendrën tonë e kemi tubuar korpusin e fjalëve të gjuhës shqipe, të cilat nuk janë përfshirë në asnjë fjalor të derisotëm”, tha ai.
Përveç fjalorit, ai përmendi si të suksesshëm edhe projektin Kulla e Shqipes. QEP-i është duke punuar edhe për pasurimin e programit për drejtshkrim AS. 2.0, që tashmë është në përdorim.
Gjuhëtarja Shefkije Islamaj tha se që sot secili do të ketë mundësi që në kompjuterë ta ketë në formë të digjitalizuar fjalorin e madh të gjuhës shqipe, që ka fizionominë e fjalorit të vitit 1980. “Brenda një kutie janë futur vite të gjata pune të një veprimtarie gjuhësore”. Ndërkaq gjuhëtari Isa Bajçinca foli për Kullën e Shqipes, respektivisht gramatikën elektronike të shqipes. Sipas tij, Kulla ... është program për përvetësimin e gjuhës shqipe, që u ndihmon jo vetëm nxënësve dhe studentëve të huaj që mësojnë shqipe, por dhe specialistëve që dëshirojnë të bëjnë studime më të thella.
Udhëheqësi i projektit “Libri Elektronik”. Daut Demaku, tha se ky projekt është nevojë e kohës. Fjalori Elektronik Shpjegues dhe librat elektronikë mund të shkarkohen falas në adresën www.gjuha-shqipe.com.