Express–Nacionale, 29 dhjetor 2005
Korrektori i shqipes
Qendra për Edukim dhe Përparim prezanton edhe disa programe të reja në gjuhën shqipe. Shkrimtarët dhe profesorët e gjuhës shqipe i shohin si të arritura të mëdha.
Jeton Llapashtica
Prishtinë, 28 dhjetor - Fjalori Elektronik Shpjegues i Gjuhës Shqipe që shërben për njohjen e fjalëve të huaja, “Kulla e Shqipes”, për përmirësimin e gabimeve gjuhësore, versioni më i ri dhe dhjetë libra elektronikë të autorëve shqiptar e të huaj të grumbulluara në një CD janë prezantuar të mërkurën si punimet e fundit të Qendrës për Edukim dhe Përparim (QEP).
Lulëzim Shishani, drejtor i QEP-it, pohoi se përdorimi i fjalorit elektronik që në vete përmban 41 mijë fjalë, do t’i ndihmojë shqipshkruesit në hartimin e teksteve të ndryshme, që sipas tij, ndikojnë që të kursehet koha, cilësia e të shkruarit dhe të folurit. “Fjalori Elektronik Shpjegues për momentin është i mbështetur në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botuar nga Rilindja, mirëpo shpresojmë që shumë shpejt fondi prej 41 mijë shprehjesh do të mund të dyfishohet, pasi në qendrën tonë kemi tubuar korpusin e fjalëve të gjuhës shqipe të cilat nuk janë të përfshira në asnjë fjalor të derisotshëm”, pohon Shishani.
Drejtori Shishani theksoi se programi i emëruar Kulla e Shqipes është realizuar për përvetësimin dhe studimin e gjuhës shqipe, ndërsa sipas tij, librat elektronikë u dedikohen posaçërisht bashkëkombësve të cilëve, sipas Shishanit, u ofrohet mundësia e shijimit të artit të shkruar të autorëve të huaj dhe atyre vendorë.
“Kjo do të thotë se tekstet në gjuhën shqipe do të jenë të jenë të shkruara mirë jo vetëm nga ana drejtshkrimore që ofrohet prej kohës nga QEP-i, por edhe nga ana sintaksore dhe ajo stilistike”, tregon Lulëzim Shishani për të arriturat e versionit përfundimtar të programit për përmirësime gjuhësore AS 2.0.
I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të programeve në fjalë, Isa Bajçinca, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, pohon se Kulla e Shqipes u vjen në ndihmë jo vetëm nxënësve dhe studentëve të huajve që mësojnë shqipen, por edhe specialistëve që dëshirojnë të bëjnë studime më të thella në fushën e gjuhës shqipe. Sipas tij, në të janë përfshirë të gjitha pjesët e ligjëratës me trajtat e tyre.
“Emrat janë lakuar sipas gjinisë dhe lakimit përkatës në njëjës e shumës, në trajtën e shquar dhe të pashquar. Disa emra janë dhënë vetëm me trajtat e numrit njëjës dhe disa të tjerë janë dhënë vetëm në trajtat e shumësit”, pohoi Bajçinca.
Profesori Bajçinca tha se foljet e ndara në tri zgjedhime janë zgjedhur në formë veprore e jo veprore, në të gjashtë mënyrat, në numrin njëjës e shumës.
Shkrimtari Daut Demaku vlerësoi se Qendra për Edukim dhe Përparim ka bërë punë shumë të madhe që gjuha shqipe të jetë në mesin e gjuhëve të mëdha botërore përmes kompjuterit. “Libri elektronik është një domosdoshmëri që ta zëmë hapin me vendet e demokracive të zhvilluara, është një kërkesë intelektuale, civilizuese dhe kulturore që na detyron të veprojmë, sepse në të kundërtën, Kosova do të mbetet një oazë e izoluar”, theksoi Demaku.