Zëri-Kulturë, 29 dhjetor 2005

QEP promovoi FESH, ‘Kulla e shqipes” dhe 10 libra elektronikë

Fjalori i gjuhës shqipe, tashmë edhe i digjitalizuar

Në kuadër të projektit të madh “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, pas programit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe AS. 2.0, QEP-i promovoi edhe fjalorin elektronik të gjuhës shqipe (FESh)

Qendra për Edukim dhe Përparim, dje promovoi edhe Fjalorin elektronik shpjegues, librat elektronikë, si dhe softuerë të tjerë, pjesë të projektit mbarëkombëtar “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”. Duke i konsideruar si rezultate të mëdha që ndikojnë dukshëm në ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes së gjuhës shqipe, drejtori i QEP-it, Lulëzim Shishani bëri të ditur se tashmë kanë përfunduar këta softuerë të rëndësishëm: fjalori elektronik shpjegues u gjuhës shqipe FESh, Kulla e shqipes dhe 10 libra elektronikë. Sipas tij, përdorimi i këtij fjalori, i cili ngërthen në vete mbi 41 mijë fjalë do t’i ndihmojë shqipshkruesit për hartimin e teksteve të ndryshme. Për momentin, ky fjalor, pohoi ai, është i mbështetur në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të botuar nga “Rilindja”, por shpresa është se shumë shpejt fondi i prej 41 mijë shprehjesh do të mund të dyfishohej,

Duke folur për programin “Kulla e shqipes”, Shishani tha se ky është një program për përvetësimin e gjuhës shqipe. Po ashtu, pohoi ai, QEP-i është duke punuar për pasurimin e programit për drejtshkrim në gjuhën shqipe AS 2.0. Me të gjithë këta softuerë, tha Shishani, gjuha shqipe do konkurron denjësisht me simotrat e saj më të zhvilluara dhe jo vetëm që është bërë pjesë e gjuhëve të kompjuterizuar, por edhe ka zënë vend meritor mes tyre. Gjithmonë sipas drejtorit të QEP-it, Gjuha shqipe dhe kompjuteri” është një tregim që vazhdon, për çka ai premtoi se edhe vitin e ardhshëm do të ketë befasi të tjera nga fusha e gjuhësisë kompjuterike e madje edhe nga e botimeve.

Rreth fjalorit elektronik shpjegues në gjuhën shqipe, foli Shefkije Islamaj, e cila u ndal në historikun e botimit të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), i cili tashmë vjen edhe në versionin e digjitalizuar, pra atë elektronik. Zhvillimi i leksikografisë botërore, potencoi ajo, i detyrohet pikërisht zhvillimit të leksikografisë kompjuterike. Fjalori elektronik i gjuhës shqipe krijon bazën për shumë ndërmarrje serioze në fushën e leksikografisë dhe të gjuhësisë në përgjithësi. Duke e konsideruar realizimin e këtij fjalori si një punë me rëndësi të shumëfishtë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, Islamaj potencoi se tashmë mbetet që të vazhdohet puna për pasurimin e këtij fjalori, pasi fjalorët, tha ajo, janë gjithmonë vepra të pakryera.

Isa Bajçinca foli rreth programit “Kulla e shqipes”, të cilin e konsideroi si program për përvetësimin e shqipes, një lloj gramatike elektronike e llojit të veçantë, në të cilën janë përfshirë të gjitha pjesët e ligjëratës. Përmes këtij softueri, tha ai, mund të mësohet si lakohen emrat, mbiemrat, përemrat, numërorët dhe si zgjedhohen foljet.

Rreth librave elektronikë të përuruar ditën e djeshme, foli Daut Demaku. Sipas tij, libri elektronik është një nevojë e kësaj kohe, një domosdoshmëri që ta zëmë hapin me vendet e demokracive të zhvilluara, një kërkesë intelektuale, civilizuese dhe kulturore, që na detyron të veprojmë, sepse, në të kundërtën Kosova do të mbetej një oazë e izoluar. Kështu, QEP-i sipas Demakut, duke qenë i bindur se shumë shpejt shkollat tona to të jenë në internet, e ka bërë hapin e parë në rrugën e shenjtë të “librit elektronik”.

A.Beqiri

Mediat për ne