KOHA Ditore – Shoqëri-Kulturë-Art 29 dhjetor, 2005

QEP-i promovoi produktet më të reja në fushën e gjuhësisë kompjuterike

Gjuha shqipe bëhet me fjalor elektronik

“Përveç fjalorit elektronik dhe ‘Kullës së shqipes’, ne kemi realizuar edhe dhjetë libra që mund të lexohen në mënyrë elektronike, e që u dedikohen sidomos bashkëkombësve tanë, kudo që ndodhen, të cilëve u ofrojmë mundësinë që të shijojnë artin e shkruar të autorëve të njohur vendës dhe të huaj”, ka thënë drejtori i QEP-it, Lulëzim Shishani, në këtë promovim

Korab Lecaj

Prishtinë 28 Dhjetor – Në vazhdën e projekteve, pjesë e “vitit të gjuhës shqipe”, i shpallur në fillim të vitit 2005, nga Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP), kjo qendër, të mërkurën në hotelin “Grand”, promovoi projektet më të reja të saj si: Fjalorin elektronik shpjegues të gjuhës së sotme shqipe me mbi 41 mijë fjalë, “Kullën e shqipes”, si dhe dhjetë libra elektronikë.

Me rastin e këtij promovimi, drejtori i QEP-it, Lulëzim Shishani, tha se: “Realizimi i fjalorit elektronik shpjegues i gjuhës shqipe, është një rezultat i madh, i cili do të ndikoj dukshëm në ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes së gjuhës së sotme shqipe”. “Përdorimi i këtij fjalori, i cili ngërthen në vete më shumë se 41 mijë fjalë do t’i ndihmojë shqipshkruesit në hartimin e teksteve të ndryshme, duke kursyer kohën e tyre dhe duke rritur njëkohësisht cilësinë e shkrimit, cilësinë e të folurit dhe saktësinë e të shprehurit”, tha drejtori Shishani.

Shishani po ashtu tregoj se, FESH-i për momentin është i mbështetur në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të botuar nga “Rilindja”, mirëpo, siç shtoi ai, “shpresojmë që shumë shpejt fondi prej 41 mijë shprehjesh do të mund të dyfishohej pasi në QEP kemi tubuar korpusin e fjalëve të gjuhës shqipe, të cilat nuk janë të përfshira në asnjë fjalor të derisotëm”. Shishani gjithashtu ka folur edhe për programin “Kulla e shqipes”, program ky, që siç tha si, “do të ndihmojë në përvetësimin dhe studimin e gjuhës shqipe”.

“Përveç fjalorit elektronik dhe ‘Kullës së shqipes’, ne kemi realizuar edhe dhjetë libra që mund të lexohen në mënyrë elektronike, e që u dedikohen sidomos bashkëkombësve tanë, kudo që ndodhen, të cilëve u ofrojmë mundësinë që të shijojnë artin e shkruar të autorëve të njohur vendës dhe të huaj”, ka thënë drejtori Shishani.

Ndërkaq, gjuhëtarja Shefkije Islamaj, tha për fjalorin elektronik të gjuhës së stome shqipe, se “forma e elektrizuar e fjalorit të gjuhës sonë, hap rrugën që në një mënyrë më të lehtë e më të realizueshme të pasurohet, të zgjerohet e të përmirësohet. Për këtë ai ka nevojë”. Gjuhëtarja Islamaj foli edhe për leksikografinë, për të cilën tha se, “një leksikografi pa anën e saj elektronike sot del e paimagjinueshme”.

“Zhvillimi i leksikografisë si shkencë teorike-zbatimore del si kërkesë e madhe e kohës edhe për shqiptarët”, tha Islamaj. Ndërsa për programin “Kulla e shqipes” foli gjuhëtari Isa Bajçinca, i cili mes të tjerash tha se: “Kulla e shqipes’ është program për përvetësimin e gjuhës shqipe”.

“Ky program u vjen në ndihmë jo vetëm nxënësve e studentëve, të huajve që mësojnë gjuhën shqipe, por dhe specialistëve që dëshirojnë të bëjnë studime më të thella në fushën e gjuhës shqipe”, tha Bajçinca, i cili shtoi se, “në të janë përfshirë të gjitha pjesët e ligjëratës me trajtat e tyre”.

Ndërkaq, Daut Demaku foli veçanërisht për projektin “Libri elektronik”, për të cilën ndër të tjerat tha se: “Libri elektronik’ është një nevojë e kësaj kohe, është një domosdoshmëri që ta zëmë hapin me vendet e demokracive të zhvilluara, është një kërkesë intelektuale, civilizuese dhe kulturore që na detyron të veprojmë, sepse, në të kundërtën Kosova do të mbetej një oazë e izoluar, një diçka si shkretëtirë kulturore, ku libri do të përjashtohej prej trevave bashkëkohore”. Demaku po ashtu në fund tregoi se në mënyrë elektronike ata kanë përgatitur këta tituj librash: “Luli i vocërr” i Migjenit, “Vjersha të zgjedhura për fëmijë” të Ndre Mjedës, “Nita” e Josip Reles, “Albumi” i Fan Nolit, “Përrallat” e Asdrenit, “Pinokio” i Karlo Kllodit, “Pipi çorapëgjata” e Astrid Lindgrenit etj.

Që nga dita e djeshme, të gjithë banorët e Kosovës, kanë mundësinë që këto produkte të QEP-it t’i shkarkojnë, falas, nga gaqja e tij elektronike: www.gjuha-shqipe.com.

Mediat për ne